Surroi: Dëmet që shkaktoi Thaçi janë të mëdha, kishte uzurpuar dialogun

Publicisti Veton Surroi ka konfirmuar se do të jetë këshilltar i jashtëm i ekipit negociator të Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë.

Por, ai ka kritikuar procesin e dialogut kur u udhëhoq nga Hashim Thaçi, duke thënë se marrëveshjet e nënshkruara nga ai janë problematike edhe për Qeverinë aktuale, njofton Klan Kosova.

“Proceset negociatore të deritanishme kanë qenë të uzurpuara nga (Hashim) Thaçi dhe të kontrolluara nga ai. Dëmet që i ka bërë Thaçi dhe ekipet e tij janë shumë të mëdha. Lëvizja Vetëvendosje me të drejtë ka rezistuar te çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe bashkë me partitë tjera opozitare. Po të kishte pasë një konsensus dhe një përpjekje për gjithëpërfshirje, Kosova nuk do të nënshkruante në vitin 2013 marrëveshjen për Asociacion. Do të kishte njerëz me përvojë që do ta shikonin ndryshe këtë punë. Dhe në vitin 2015 s’do të kishte marrëveshje të nënshkruar që u pa se ishte e dëmshme”.

Surroi në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se “uzurpimi” i procesit pa bashkëpunim me opozitën ka sjellë dëmet, prandaj rekomandon që Qeveria aktuale të dëgjojë opozitën.

“Këto e demonstrojnë dhe janë mësim edhe për pushtetin e tanishëm që në çfarëdo procesi negociator të hyjë duhet të ketë një komunikim të përhershëm me opozitën dhe të dëgjojë me vëmendje, qoftë edhe kur opozita s’jep propozim, por vetëm shan”.