Surroi: Aq shumë dëme janë shkaktuar nga qeveritë e kaluara sa që vështirë të rehatohen të gjitha

Publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, ka thënë se aq shumë dëme janë shkaktuar në Kosovë nga qeveritë e kaluara të pasluftës, sa që vështirë do të jetë që të rregullohen të gjitha problemet në një afat të shkurtër kohor.

Duke aluduar në qeverinë aktuale, Surroi ka deklaruar në “Desku” të KTV-së, se mençuri është të shikohet se çka mund të bëhet në realitet.

“Aq shumë dëme janë bërë nga qeverisjet e kaluara saqë është vështirë të gjenerohet menjëherë një lloj dinamizmi i cili i rehaton të gjitha këto probleme prandaj mençuria është që të ulet dhe të shihet se çka mund të bëhet në formë realiste, dhe çfarë rezultati mund të prodhohet dhe në cilën kornizë kohore. Është si në shah, çdo kush që ulet të luajë në shah i din lëvizjet, por ai që zgjedhë lëvizjet e duhura është ai që fiton”, ka thënë Surroi.

Duke folur për qeverinë “Kurti II”, publicisti Surroi ka thënë se ky pushtet ka gjasa shumë të mëdha të përkrahjes së mëtutjeshme, duke mos bërë atë që kanë bërë pushtetet e kaluara.

Sipas tij, për nga natyra, Lëvizja Vetëvendosje është lëvizje anti-korruptive mirëpo siç ka thënë, nuk mjafton për të gjeneruar rritje në të ardhmen vetëm duke mos bërë atë që kanë bërë qeveritë e kaluara.