Supremja refuzon sërish ankesën e Rufki Sumës, nuk ka rivotim në Han të Elezit

Gjykata Supreme ka njoftuar se ka refuzuar dy ankesa të cilat ishin paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP.

PZAP më datën 27 tetor kishte marrë vendim për refuzimin e ankesës së kandidatit për kryetar të Hanit të Elezit, Rufki Suma, që kjo komunë të shkojë në rivotim, e po ashtu PZAP kishte dënuar me 10 mijë euro PDK-në për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes Për Subjektet Politike.

Pas këtij vendimi, Suma dhe PDK kanë paraqitur ankesë në Supreme, por që Supremja ka refuzuar ankesat e parashtruara.

“Lëndët e regjistruara në Gjykatën Supreme sipas ankesës të kandidatit të pavarur Rufki Suma, për Kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, me numër AA.nr.56/2021, dhe sipas ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me numër AA.nr.57/2021, të paraqitura kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa Anr.693-2/2021 të datës 27.10.2021, janë bashkuar në një lëndë me numrin AA.nr.56/2021.

Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuara, ankesat e kandidatit të pavarur Rufki Suma, për Kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, dhe ankesën e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës, të paraqitura kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa Anr.693-2/2021, të datës 27.10.2021”, thuhet në njoftimin e bërë nga Gjykata Supreme.

Zgjedhjet lokale janë mbajtur më 17 tetor, ku PDK është radhitur e para në Han të Elezit.