Supremja i jep të drejtë vendimit të BQK-së për kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”

Gjykata Supreme i ka dhënë të drejtë vendimit të BQK-së për kompaninë e sigurimeve “Kosova e Re”.

Në një komunikatë për media të BQK-së thuhet se Supremja ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të paditësit – propozuesit, Shoqëria “Fitorja”, e përfaqësuar nga Naser Maloku – menaxher dhe aksionar i vetëm i Kompanisë se Sigurimeve, “Kosova e Re”, të ushtruar kundër aktvendimit te Gjykatës së Apelit në Prishtinë, të datës 16.11.2021.

Me aktvendimin e Apelit në Prishtinë, të datës 16.11.2021, është aprovuar ankesa e BQK-së dhe është refuzuar kërkesa e propozueses, Shoqëria “Fitorja”, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të të paditurës Banka Qendrore e Kosovës të datës 24.09.2021.

Sipas vlerësimit të kësaj gjykate aktvendimi i goditur i Gjykatës së Apelit është i qartë, i kuptueshëm dhe i arsyetuar mjaftueshëm për të gjitha faktet vendimore që kanë rezultuar me marrjen e tij, duke u bazuar edhe në dispozitat ligjore të Ligjit për BQK, të cilat rregullojnë ndalimin e shqiptimit dhe ekzekutimit të ndonjë mase, para se të nxirret vendimi përfundimtar gjyqësor në çdo veprim ligjor të parashtruar para gjykatave të Kosovës.