Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë ankesën e Sami Kurteshit e Alban Krasniqit, kundër vendimit të PZAP-së për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet lokale.

“Hedhet poshtë si e palejuar ankesa e parashtruar nga Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi”, thuhet në aktvendimin e 28 gushtit të Supremes.

Në arsyetimin e gjykatës thuhet se duke u nisur nga fakti se Kurteshi e Krasniqi janë ankuar ndaj vendimit të PZAP-së në cilësinë e anëtarit individual të KQZ-së, të njëjtit nuk kanë të drejtë, përkatësisht nuk kanë legjitimitet që të parashtrojnë ankesë në emër të tyre personalisht, pasi që nuk janë palë të drejtpërdrejta sipas vendimit të PZAP-së.

“Kjo për faktin se sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate të drejtë për të paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-it, përveç personave që kanë interes ligjor (të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 119), ka vetëm KQZ-ja, përkatësisht zyra e saj, ashtu siç është e përcaktuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht nenin 119 paragrafi 2, e jo anëtarët individual të saj. Për më tepër, këta të fundit e shprehin mendimin e tyre gjatë procesit të vendimarrjes brenda KQZ-së, por nuk legjitimohen që të veprojnë si palë individuale në procedurë gjyqësore, siç është edhe rasti konkret”, thuhet në aktvendim.

Supremja ka thënë se kolegji i saj nuk është lëshuar në shqyrtimin meritor të çështjes së ngritur me ankesë nga ankuesit.

PZAP-ja e urdhëroi javën e kaluar komisionin zgjedhor ta certifikojë partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – pak ditë pasi asaj iu mohua regjistrimi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.

Dy anëtarët e LVV-së në KQZ, Kurteshi dhe Krasniqi, ishin të vetmit që votuan kundër certifikimit të kësaj partie.