Superheronjtë “përcjellin” në banesën e fundit…Stan Lee (Foto)

Nderime nga e gjithë bota po bëhen për shkrimtarin amerikan dhe ish-presidentin e “Marvel Comics”, Stan Lee, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 95-vjeçare.

Lee është krijuesi i “The Fantastic Four” në vitin 1961 e më pas solli edhe tituj të tillë si “Spiderman” apo “The Incredible Hulk”.

Aktori Chris Evans, i njohur më së shumti për rolin e tij në filmin “Captain America” të kompanisë Marvel, shkroi në rrjetet sociale se “nuk do të ketë kurrë më një Stan Lee të dytë”.

Edhe protagonisti kryesor i “X-Men”, Hugh Jackman shprehu keqardhjen për “humbjen e një gjeniu kaq krijues”.

Robert Downey Jr., i cili luajti rolin e “Iron Man”, i dedikoi gjithashtu një mesazh: Mirënjohës për gjithçka jam. U prehsh në paqe Stan!

Kevin Feige, producent dhe president i “Marvel Studios” dha gjithashtu mesazhin e tij, teksa tha se “askush nuk ka pasur më shumë ndikim në karrierën time dhe për gjithçka bëjmë në Marvel Studios, sesa Stan Lee”.

Autori i librave legjendarë ndërroi jetë në Qendrën Mjekësore Cedars Sinai në Los Angeles, sipas avokatit të familjes së tij.

Tom Hardy, që shkëlqu në rolin e “Venom”, filmi i fundit bazuar në karakterin e “Marvel Comics”, shpërndau në rrjetet sociale një foto të Lee gjatë xhirimeve.