Prishtina u shndërrua në kryeqytetin e muzikës botërore gjatë tri netëve të paharrueshme të “Sunny Hill Festival”, një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në rajon.
Që nga nata e parë, ku rikthimi i Dua Lipës ndezi çdo cep të qytetit, e deri te finalja spektakolare me performancën e Anyma-s, festivali tejkaloi kufijtë e zakonshmes.
Qindra vetura në kolona dhe turma njerëzish që lëviznin drejt vendit të ngjarjes ishin vetëm paralajmërim i atmosferës unike që do të pasonte.
Që nga ora 17:00, skena e “Sunny Hill Festival’ nisi të gumëzhonte nga performanca e artistëve si Deezy, Art Lokaj & TNM, Kida, Sienna Spiro, Edis dhe Tayna.
Të gjithë ndërtuan skenën për mbërritjen më të pritur: Dua Lipa.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore u rikthye në vendlindje si një yll që ndriçon më shumë se një skenë, si simbol krenarie për një komb, transmeton Klankosova.tv.
Ajo e hapi koncertin me “Training Season”, duke ndezur publikun dhe krijuar një lidhje emocionale që mbeti e pandërprerë gjatë gjithë natës.
Hitet si “Levitating”, “Break My Heart”, “One Kiss” dhe “These Walls” u kënduan njëzëri nga mijëra të pranishëm.
Momenti kulmor erdhi kur ajo ftoi në skenë babain e saj, Dukagjin Lipën, për të interpretuar së bashku këngën “Era” nga grupi legjendar “Gjurmët”, një ndërthurje brezash dhe emocionesh që preku secilin në publik.







