Lagjen e “Doktorëve”

Sulmohet shtëpia e shqiptarit në Mitrovicën e Veriut

Gjatë mbrëmjes së kaluar është sulmuar me koktej molotovi shtëpia e një shqiptari në veri të Mitrovicës.

Pre e sulmit ka rënë familja e Qamil Hajrizit në Lagjen e “Doktorëve” në Veri, por fatmirësisht pa dëme në njerëz. Kryefamiljari ka deklaruar se në momentin e sulmin në ambientet e shtëpisë ka qenë gruaja dhe fëmijët e tij.

Ai shton se sulme të tilla janë kryer në mënyrë periodike, ndërsa dyshon se pas kësaj fshihen serbë që jetojnë në atë zonë.

“Ka pasur edhe përpara këso sulme por kohët e fundit jo. Kanë qenë gruaja vajza që kanë thënë se fillimisht kanë dëgjuar një zhurmë dhe më pas ka shpërthyer zjarri. Kanë dalë në ballkon dhe kanë thirrur fqinjët për ndihmë të cilët janë munduar t’i ndalin flakët. Dëmet janë goxha të mëdha por për fat të mirë në familje nuk ka pësuar askush”, ka thënë Hajrizi.

“Kemi pas sulme përpara edhe këtu që kanë ardhur nga pjesa serbe. Sigurisht prej tyre është edhe ky sonte, sepse këndej vetëm ata qarkullojnë. Sulmi ka ardhur nga ana prej serbëve. Shenjat që verifikoi polica janë prej kësaj ane që ka ardh sulmi. Është verifikuar se sulmi është kryer me koktej molotovi dhe që është sulm i qëllimshëm”, shtoi ai.

Kryemfamiljari shprehet se rrezikshmëria sa vjen e shtohet, pasi policianuk mund të kontrollojë në këtë zonë.

“Të rrezikuar jemi të gjithë, por nuk kemi çfarë të bëjmë. As kontrolle të policisë nuk ka as shteti nuk është i interesuar për këtë”, ka përfunduar Hajrizi.