Sulmohet seksualisht një nxënëse në oborrin e shkollës ekonomike

Një person i cili tash e disa muaj kishte krijuar kontakte me një vajzë të mitur në qytetin e Ferizajt, dyshohet se gjatë ditës së djeshme ka sulmuar seksualisht 16-vjeçaren në oborrin e shkollës së mesme ekonomike ‘Faik Konica’.

Burimet e Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari i kishte kërkuar viktimës që të takoheshin te salla e sportit dhe posa ajo kishte arritur aty, 22-vjeçari e kishte sulmuar seksualisht duke bërë që e mitura të tentojë që të largohet nga aty.

Por kjo e kishte revoltuar të riun, i cili dyshohet se më pas e ka sulmuar fizikisht viktimën duke e goditur me shuplakë. Përballë kësaj situate, e mitura ka njoftuar kujdestarin e klasës dhe drejtorin e shkollës për atë që ka ndodhur dhe të njëjtit kanë marrë masa duke denoncuar rastin në Polici.

16-vjeçarja është intervistuar në stacion policor në praninë e prindit dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, ku para hetuesve ka bërë me dije se me të dyshuarin është njoftuar në muajin qershor dhe gjatë bisedës me të ka dërguar fotografi të saj intime.

Bazuar në dëshminë e viktimës, kjo është bërë shkak që i dyshuari ta kërcënojë dhe me anë të shantazhit ta mbajë afër vetes të miturën, të cilën e ka paralajmëruar se në rast se shkëput kontaktin dhe nuk del me të, do ia publikojë fotografitë që cenojnë privatësinë e saj.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervisitm.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.