Sulmohet me eksploziv dhe plaçkitet një bankomat në Komoran të Drenasit

Disa persona të panjohur kanë sulmuar me eksploziv një bankomat dhe kanë vjedhur një shumë parash në fshatin Komoran të Drenasit.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Sot rreth orës 04:00 është kemi pranuar informacionin për një rast të grabitjes që ka ndodhur në fshatin Komoran. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore”, ka thënë Ahmeti për Gazetën Sinjali

Derisa ka bërë të ditur se personat e dyshuar kanë përdorur mjete shpërthyese, ku edhe si pasojë kanë dëmtuar bankomatin.

“Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar duke dëmtuar bankomatin  me një mjet shpërthyes, ku më pas janë grabitur një sasi të parave”, ka deklaruar Ahmeti, duke thënë se po punojnë për të identifikuar personat e dyshuar dhe vendndodhjen e tyre.