Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, të hënën urdhëroi një hetim mbi atë që zyrtarët qeveritarë mund të kishin ditur rreth personin të armatosur në masakrën e së premtes para se ai ta kryente sulmin që la 50 persona të vdekur në dy xhami në Christchurch.

“Qëllimi i kësaj kërkese është të shohim se çfarë dinin të gjitha agjencitë relevante ose duhet të kishin njohur për individin dhe aktivitet e tij, duke përfshirë qasjen e tij ndaj armëve dhe nëse ata mund të kishin qenë në gjendje të parandalonin sulmin”, tha ajo.

Ajo u zotua gjithashtu të bëjë ndryshime në ligjet e armëve në vend.

Hetimet po vazhdojnë për Brenton Tarrant, 28 vjeçar. Ai kishte pasur një licencë bazë të armëve të zjarrit në nëntor të vitit 2017 dhe bleu katër armët e tij në internet në mes të asaj kohe dhe marsit të vitit 2018.

Autoritetet në Australi gjithashtu bastisën shtëpinë e motrës së tij, në një qytet në plazh në veri të Sydney, dhe po vazhdojnë hetimin në shtëpinë e tij në qytetin Dunedin, rreth 220 kilometra në jug të Christchurch.