Pejë

Sulmi në shkollë: Pejanët s’u tuten nga shoku “terrorist”

Mungesa e njërit prej nxënësve është e theksuar në një paralele të klasës së 11-të në gjimnazin ‘Bedri Pejani’ në Pejë.

Të pranishmit tjerë sikur e patën mendjen te ajo për çfarë shoku i tyre 16 vjeçar ra në pranga, të shtunën, për një vepër të mundshme që kishte gjasa të lidhej direkt me ta.

I mituri pretendohet se bëri plan të kryejë akt terrorist, duke vrarë 6 prej shokëve e shoqeve, më 31 tetor. Skenari, që u bë i ditur pas arrestimit, shqetësoi ata për të cilët ishte përgatitur.

Planin i cili ishte i gatshëm, hetuesia e zbuloi përmes rrjetit social TIK-TOK.  Atë, i mituri dyshohet se e kopjoi nga një sulm i ngjashëm në të cilën u vranë tetë nxënës në një shkollë në Serbi, majin e këtij viti, njofton Klan Kosova.

16 vjecari dyshohet se për këtë punë edhe komunikoi me persona nga shteti fqi i Kosovës.

Drejtori i shkollës tha se nuk ishte vërejtur ndonjë sjellje e ç’rregullt te ky nxënës, pos vonesave.

Me propozimin e kujdestares së klasës, të miturit pritet t’i shqiptohet masa e pezullimit nga shkolla, të hënën.