Igli Hasani

Sulmi në Banjskë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë: Presim hetim serioz nga Serbia

Ministri i Jashtëm Igli Hasani, në konferencën për shtyp pas ministerialit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit që u mbajt në Tiranë, tha se ngjarja në veri të Kosovës duhet të hetohet tërësisht.

Ai theksoi se Shqipëria pret një hetim serioz dhe gjithëpërfshirës nga Serbia për terroristët që serbë që sulmuan Policinë e Kosovës.

“Ka ndodhur një një ngjarje shumë e rëndë, një sulm terrorist kriminal në veri të Kosovës.

Qëndrimi ynë ndaj procesit të dialogut të normalizimit mbetet i pandryshuar dhe është në harmoni të plotë me qëndrimin e BE dhe SHBA. Megjithatë kemi deklaruar dhe kërkuar disa herë publikisht dhe zyrtarisht se formati i këtij dialogu duhet ngritur në nivelin e një konference normalizimi me planin franko-gjerman si udhërrëfyes në tryezën e bisedimeve. Presim që Serbia të nisë një hetim serioz për grupin kriminal terrorist, potencialisht të përfshirë në një konflikt të armatosur në veri të Kosovës dhe lidhjet e tyre me trafikantët e armëve dhe individë apo subjekte të tjera në Serbi apo gjetkë. Por sidomos, në situatën e tanishme dialogu Kosovë-Serbi është rruga e vetme drejt paqes”.

Sipas ministrit Hasani, “palët duhet të punojnë me guxim për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të mbështetur nga BE dhe SHBA e cila do të mundësojë njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB si dhe trajtimin e drejtë të pakicave bazuar gjithmonë në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.