Sulmi me hark e shigjeta në Norvegji, policia zbulon detaje të tjera

Pesë viktimat e javës së kaluar në Norvegji nuk u vranë me hark e me shigjetë.

Në një deklaratë për mediat inspektori i policisë Per Thomas Omholt tha se “Në një moment ai hodhi ose humbi harkun dhe shigjetat e tij“.

Ai deklaroi  se gjatë sulmit në qytetin e vogël Kongsberg i dyshuari vrau “pesë persona me një objekt të mprehtë  megjithëse nuk specifikoi llojin e armëve të ftohta “.

Gjatë marrjes në pyetje nga policia, i dyshuari Espen Andersen Brathen ka pranuar pesë vrasjet dhe plagosjen e tre të tjerëve.

Ai po mbahet në një institucion mjekësor në pritje të një vlerësimi psikiatrik pasi dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor. 37-vjeçari nisi duke sulmuar pranë një supermarketi në Norvegji  klientë  dhe kalimtarë të rastësishëm. Akti mori fund pas gjysmë ore, me ndërhyrjen e policisë që detyroi autorin të dorëzohej.

Ky sulm ishte më i rëndi pas atij të ekstremistit të djathtë Anders Breivik që vrau 77 persona në ishullin Utoja në Korrik 2011.