Sulmet kibernetike rrëzojnë shërbimet qeveritare në Kanada

Qeveria Kanadeze u detyrua të mbyllte pjesën më të madhe të portaleve online gjatë fundjavës për shkak të një sulmi kibernetik të koordinuar për disa ditë me radhë.

Zyrtarët Kanadezë thanë se të paktën 300,000 sulme janë ndërmarrë për të aksesuar llogaritë në 24 sisteme qeveritare.

Në total 11,000 nga 12 milionë llogari personale janë kompromentuar. Shërbimet do ti rikthehen normalitetit vetëm ditën e Mërkure.

Sulmi nuk ishte përmes një “backdoor” por tentativa për të aksesuar llogaritë njëlloj si përdorues normalë. Megjithatë zyrtarët thanë se në softuerët e sigurisë përdorur nga autoritetet shtetërore janë gjetur probleme e dobësi sigurie të cilat janë adresuar tani.

Mëngjesin e së Shtunës autoritetet mësuan rreth një sasie të madhe trafiku që vinte nga një botnet dhe tentonte të vendoste kredencialet e llogarive.

Sulmi i quajtur “credential stuffing” shkaktoi probleme të mëdha por autoritetet nuk komentuan se nga ka ardhur nga brenda vendit apo jashtë.