LAJMI I FUNDIT

Suedia një hap më afër NATO-s, pas votimit të komisionit parlamentar turk

Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit të Turqisë e aprovoi të martën anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke i hapur rrugën zgjerimit të aleancës ushtarake pas 19 muajve vonesash gjatë të cilave Ankaraja kërkonte nga Stokholmi garanci në lidhje me sigurinë.

Komisioni, i kontrolluar nga partia në pushtet e presidentit Recep Tayyip Erdogan, AK, votoi për ta ratifikuar anëtarësimin e Suedisë, për të cilin shteti skandinav aplikoi vitin e kaluar menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës.

Tani, hapi i radhës është votimi në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit, ku partia e Erdoganit e gëzon shumicën, po ashtu. Votimi pritet të ndodhë brenda pak javësh dhe të bëhet në favor të anëtarësimit të Suedisë në aleancën ushtarake.

Erdogani pritet që ta pastaj ta nënshkruajë atë në ligj, duke e përmbyllur një proces i cili i ka zemëruar disa prej aleatëve të Ankarasë dhe i ka vënë në sprovë marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin.

Në një komunikatë për medie pas votimit, ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, tha se Suedia e mirëpret këtë vendim dhe se mezi pret t’i bashkohet NATO-s.

Boris Ruge, ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, tha se vendimi i komisionit për ta aprovuar anëtarësimin e Suedisë është “lajm i shkëlqyer”.

Kundërshtimet e Turqisë

Erdogani kishte kundërshtuar në maj të vitit të kaluar kërkesat e Suedisë dhe Finlandës për t’iu bashkuar aleancës, duke thënë se ato i mbrojnë ata të cilët Turqia i cilëson si terroristë. Ndër arsyet e kundërshtimit të tij ishin edhe embargot ndaj tregtisë së mbrojtjes.

Turqia e ratifikoi anëtarësimin e Finlandës në prill, por e la Suedinë të priste derisa ajo i ndërmori disa hapa për t’i luftuar anëtarët lokalë të Partisë së Punëtorë Kurdistan (PKK), të cilën edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e cilësojnë si grup terrorist.

Suedia dhe anëtaret e tjera të NATO-s, Finlanda, Kanadaja dhe Holanda, ndërmorën hapa për t’i lehtësuar politikat e eksportit të armëve turke.

Derisa anëtarja e NATO-s, Hungaria nuk e ka ratifikuar ende anëtarësimin e Suedisë, Turqia shihet si pengesa kryesore për futjen e shtetit skandinav në aleancën ushtarake.

Po ashtu, Erdogan e ka kushtëzuar ratifikimin e aplikacionit të Suedisë për anëtarësim në NATO me miratimin e kërkesës që i ka bërë Ankaraja Kongresit amerikan për aeroplanët luftarakë, F-16.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka premtuar vazhdimisht që do ta çojë përpara planin për shitjen e aeroplanëve.

Mirëpo, miratimi i kërkesës ka hasur në rezistencën nga liderë të Kongresit, të cilët përmendin shqetësimet lidhur me historikun e Turqisë në fushën e të drejtave të njeriut, dhe raportin me Greqinë, po ashtu anëtare e NATO-s.