Suedezët iu kthyen normalitetit, shënohet shifra më e lartë e të infektuarve që nga korriku

Suedia po shënon rritje të numri të rasteve me Covid-19, pasi njerëzit janë kthyer në normalitet duke mos u brengosur fare për masat mbrojtëse, ka thënë të enjten kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven.

Lofven tha se suedezët janë relaksuar së tepërmi, duke mos respektuar rregullat anti-COVID.

“Në Suedi, situata është stabile, por ne po shohim edhe shenja të rritjes së numrit të infektuarve në zona të caktuara në shtetin tonë. Kjo është shqetësuese”, ka thënë Lofven në konferencë për media.

“Kujdesi që ekzistonte në pranverë është zëvendësuar gjithmonë e më tepër me përqafime, festa, udhëtime me autobus në kohën e trafikut të ngarkuar dhe në jetën normale të përditshme. Shumë po duket se janë kthyer në normalitet. Ajo që bëjmë mirë tash, do të jemi falënderues për të më vonë. Por edhe atë që e bëjmë gabim tash, do ta vuajmë më vonë”, ka thënë kryeministri.

Ai u ka bërë thirrje suedezëve që të respektojnë distancën sociale dhe të mbajnë higjienën, duke i paralajmëruar se qeveria është e gatshme të prezantojë masa më strikte.

Ndryshe nga shumica e shteteve, Suedia ka vendosur të mos mbyllej shkaku i koronavirusit. Të enjten janë raportuar 533 raste të reja, shifra më e lartë që nga fillimi i korrikut.

“Për fat të keq, po shohim një përmbysje të vogël. Po ec ngadalë, por sigurt në drejtimin e gabuar, diçka që kemi folur se mund të ndodhë në vjeshtë kur jemi kthyer në punë”, ka thënë krye-epidemiologu Anders Tegnell.

Suedia ka regjistruar dy të vdekur nga COVID-19 të enjten, duke çuar shifrën totale të vdekurve në 5878.