Sudani përballet me “katastrofën”, pasi 100 mijë njerëz ikin nga lufta

Më shumë se 100 mijë njerëz janë larguar nga Sudani që nga shpërthimi i luftimeve të ashpra mes forcave rivale më 15 prill.

Kështu ka njoftuar OKB-ja, teksa ka paralajmëruar për një “katastrofë të plotë” nëse luftimet nuk mbarojnë.

Siç ka raportuar BBC, rreth 334 mijë njerëz të tjerë janë zhvendosur brenda Sudanit.

Ndërsa, luftimet po vazhdojnë në kryeqytetin, Khartoum, midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF), pavarësisht nga një armëpushim që do të ishte në fuqi.

Të hënën, i dërguari i posaçëm i OKB-së në Sudan, Volker Perthes, i ka thënë agjencisë së lajmeve AP se të dyja palët kishin rënë dakord të hynin në bisedime për të negociuar një armëpushim “të qëndrueshëm dhe të besueshëm”.

Sipas tij, Arabia Saudite ishte një vend i mundshëm për bisedimet.

Nëse zhvillohen bisedime, do të ishte takimi i parë mes dyja palëve që nga fillimi i konfliktit.

Më shumë se 500 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 4 mijë janë plagosur në luftimet, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Sudanit.

Një seri armëpushimesh të përkohshme kanë dështuar, me ushtrinë që vazhdon ta godasë Khartoum-in me sulme ajrore në një përpjekje për të dobësuar RSF-në.

Luftimet e ashpra janë zhvilluar edhe në Darfur në Sudanin perëndimor.

Zëdhënësja e UNHCR-së, Olga Sarrado, u ka thënë gazetarëve në Gjenevë se 100 mijë gjithsej përfshinin njerëz nga Sudani, qytetarë sudanez të jugut që ktheheshin në shtëpi dhe njerëz që ishin tashmë refugjatë brenda Sudanit që ikën nga luftimet.

Refugjatët gjithashtu kanë ikur mbi kufirin e Sudanit me Egjiptin në veri dhe Çadin në perëndim.

Shumica e shteteve evropiane kanë përfunduar evakuimin e shtetasve të tyre, por Rusia ka thënë të martën se po dërgonte katër avionë ushtarakë për të fluturuar më shumë se 200 njerëz – duke përfshirë shtetasit e saj dhe ata nga “vendet mike” – nga Sudani.

Në Khartoum, ushqimi, uji dhe energjia elektrike po mbarojnë, por furnizimet me ndihma të nevojshme – të dërguara nga OKB në Port Sudan – po ruhen për shkak të dhunës. Ndërkohë, grabitja e përhapur do të thotë se nuk ka asnjë mënyrë të sigurt për t’i dorëzuar ato.

Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Ahmed Al-Mandhari, ka thënë se objektet shëndetësore janë sulmuar në Khartoum dhe disa janë duke u përdorur si baza ushtarake.

“Deri tani ka pasur rreth 26 sulme të raportuara në objektet e kujdesit shëndetësor. Disa nga këto sulme rezultuan në vdekjen e punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe civilëve në këto spitale”, ka thënë ai për BBC.

“Gjithashtu, ju e dini se disa nga këto spitale janë përdorur si baza ushtarake dhe ata kanë hedhur stafin, ata kanë dëbuar pacientët nga këto objekte të kujdesit shëndetësor”, ka shtuar ai.

Të hënën, Koordinatori Humanitar i OKB-së në Sudan, Abdou Dieng, ka thënë se më shumë se dy javë luftime shkatërruese rrezikuan ta kthenin krizën humanitare të vendit në një “katastrofë të plotë”.