Subvencionet e Qeverisë nuk ndikojnë në ‘korrje-shirjet’ e sivjetme

Mbi 66 mijë hektarë më grurë janë mbjellë në vjeshtën e vitit të kaluar, që priten të korren në muajin korrik të këtij viti.

Rendimentet për një hektar në vitin paraprak ishin mesatarisht 3,804 kg/ha, që nga rreth 72 mijë hektarë të korrur në vitin e kaluar i bie të jenë grumbulluar mbi 270 mijë tonë grurë. Me këto rendimente, Kosova sërish nuk ka arritur t’i plotësojë nevojat e popullatës me këtë kulturë bujqësore, marrë parasysh rëndësinë që ka për prodhimin e miellit, shkruan Demokracia.com.

“Në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në kuadër të mbjelljeve vjeshtore të vitit 2021, me kulturën e grurit është mbjellë një sipërfaqe prej 66,159.52 hektarë”, kështu kanë bërë të ditur nga Ministria e Bujqësisë për Demokracia.com.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie, këtë vit sipërfaqja me kulturën e grurit që pritet të korret sillet në rreth 66 mijë hektarë grurë.

“Si material bazë për të dhënat e këtyre mbjelljeve vjeshtore kanë qenë të dhënat e Drejtorive Komunale të Bujqësisë dhe bazuar në këto të dhëna, sipërfaqja me kulturën e grurit që pritet të korret gjatë këtij viti është 66,159.52 hektarë’, thuhet në përgjigjen e MBPZHR-së.

Në vitin 2021, Kosova ka prodhuar rreth 274,922.70 tonë grurë në sipërfaqen e përgjithshme me kulturën e mbjellë të grurit prej 72,272.75 hektarë.

“Bazuar në raportin e korrje-shirjeve të vitit 2021, duke pasur parasysh sipërfaqen e përgjithshme me kulturën e grurit prej 72,272.75 ha, e cila është korrur gjatë atij viti dhe rendimentin mesatar prej 3,804 kg/ha, Kosova për vitin 2021 ka prodhuar rreth 274,922.70 tonë grurë”, bëjnë të ditur nga Zyra e Informimit e Ministrisë së Bujqësisë.

Rreth 200 kg grurë për kokë banori, 400 mijë tonë grurë nevojiten për konsumin vjetor

Nevojat ushqyese me grurë për popullatën e Kosovës janë rreth 200 kg për kokë të banorit për një vit, andaj për konsum vjetor për gjithë popullsinë nevojiten rreth 400,000 tonë grurë.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ditë më parë ka deklaruar se nuk ka nevojë për panik, pasi ka rezerva edhe për dy muajt e ardhshëm.

Në vitin 2021, Kosova ka arritur që t’i plotësojë nevojat me grurë në masën prej 67 për qind.

“Me sasinë e grurit të prodhuar në vitin 2021, Kosova arrin që t’i plotësojë nevojat me grurë në masën prej 67 për qind”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për Demokracia.com.

Ndërkaq, gjatë këtij viti, përkrahja për kulturën e grurit tashmë të mbjellë do të jetë 474 euro për hektar apo një rritje prej 216% në krahasim me vitin 2020. Megjithatë, kjo rritje e subvencioneve mund të ketë efekt vetëm në rritjen e prodhimtarisë në vitin 2023 dhe jo gjatë këtyre muajve të krizës, përveçse në rritjen e të ardhurave të bujqve, duke ua mbuluar kështu jo vetëm koston e prodhimit, por edhe një pjesë të fitimit, pasi që gruri mbillet gjatë vjeshtës në Kosovë. /Demokracia.com/