Studimi: Peshqit krijojnë varësi ndaj drogës që hidhet në lumenj

Bazuar në një studim të shkencëtarëve çekë, peshqit që jetojnë në ujë të kontaminuar me metanfetaminë krijojnë varësi ndaj drogës.

Sipas shkencëtarëve, këto ndryshime shkaktojnë “pasoja të papritura” te peshqit, të cilat konsiderohen të rrezikshme për shëndetin e tyre.

Eksperimenti është bërë duke mbushur akuariume me sasi të njëjta të drogës, të cilat janë gjendur në lumenj, për të parë nëse substancat narkotike kanë efekt në shëndetin dhe sjelljen e peshqve.

Pas 8 jave, ata u rivendosën në një akuarium me ujë të pastër, ku sjellja e tyre u studiua vazhdimisht, shkruan Independent.

Në fazën e fundit të eksperimentit, peshqit patën mundësinë të zgjedhin se në cilin akuarium të qëndrojnë, ku të gjithë zgjodhën akuariumin që përmbante drogën si pasojë e varësisë që kishin krijuar ndaj saj.

Sipas gjetjeve të këtij studimi, peshqit që kishin kaluar kohë në ujin me metamfetaminë ishin më pak aktivë se ata që kishin qëndruar në ujë pa drogë.

“Rezultatet tona sugjerojnë se lëshimi i drogave në ekosisteme të ujërave të ëmbla shkakton varësi te peshqit dhe i modifikon preferencat e vendbanimit me pasoja të papritura negative në nivelet individuale dhe të popullsive”, thuhet në studim.