Studimi nga Izraeli: Aktiviteti seksual ju ndihmon të shëroheni pas një sulmi në zemër

Ndërsa të mbijetuarit e sulmit në zemër duhet të jenë të kujdesshëm në lidhje me periudhën post-kurative, një studim i ri nga Izraeli sugjeron, që kthimi në rutinë të rregullt të marrëdhënieve seksuale mund të ndihmoj në shërimin e pacientëve, shkruan Fox News.

Një ekip studiuesish analizuan të dhënat e 500 personave seksualisht aktivë të moshës nën 65- vjeçare, të cilët ishin shtruar në spital si pasojë e sulmit në zemër në vitin 1992 dhe 1993. Rreth 43% e pacientëve vdiqën gjatë 22 viteve në vijim, ndërsa sipas të dhënave ata, që mbajtën ose rritën aktivitetin seksual gjatë gjashtë muajve të parë të shërimit, u zbulua se kishin 35% rrezik më të ulët të vdesin, në krahasim me ata që nuk kryejnë marrëdhënie seksuale.

Për më tepër, shkencëtarët izraelitë gjetën një lidhje të dukshme midis aktivitetit seksual dhe një ulje të vdekshmërisë edhe nga sëmundje të tjera siç është kanceri.

“Marrëdhëniet seksuale dhe aktiviteti janë dy faktorë shumë të rëndësishëm të mirëqenies”, tha Yariv Gerber, studiues kryesor dhe drejtuesi Shkollës së Shëndetit në Universitetin Tel Aviv. “Rifillimi i aktivitetit seksual menjëherë pas një sulmi në zemër mund të jetë një faktor i rëndësishëm në shërimin e plotë dhe rikthimin e funksioneve dhe energjisë”, shtoi ai.

Autorët vërejnë se aktiviteti seksual është një formë e aktivitetit fizik dhe është treguar se rrit rrahjet e zemrës dhe presionit të gjakut, që konsiderohen si shkaktarë të mundshëm të sulmit në zemër. Aktiviteti fizik i rregullt zvogëlon rrezikun afatgjatë të rezultateve anësore të lidhura me zemrën.

“Në përgjithësi, përmirësimi i aftësive fizike, marrëdhëniet më të forta në mes të partnerëve dhe përmirësimi i aftësisë mendore janë vetëm disa nga efektet e këtij aktiviteti”, shtoi Gerber.