Saksoni

Studim: Numër shumë i vogël i të prekurve me Covid-19 në shkollat gjermane

Vetëm 12 nga 2,000 nxënës dhe mësues në Saksoni të Gjermanisë kanë dalë se kanë antitrupa të koronavirusit, sipas një hulumtimi të publikuar të hënën. Ky rezultat lë të kuptohet se shkollat nuk kanë pasur ndikim të madh në përhapjen e virusit, siç mendohej më parë.

Gjermania filloi t’i rihapte shkollat në maj, ndonëse ende po vazhdon debati për ndikimin që kanë fëmijët në përhapjen e koronavirusit te personat më të rrezikuar si dhe te mësuesit më të moshuar, shkruan “Reuters”.

Në hulumtimin e realizuar nga Spitali Universitar i Dresdenit u analizuan mostrat e gjakut të rreth 1,500 nxënësve të moshës 14 deri 18-vjeçare dhe të 500 mësuesve nga 13 shkolla të ndryshme. Mostrat u morën në maj dhe qershor.

Nga 2,000 mostra, vetëm 12 persona të përfshirë në studim patën antritrupa, bëri të ditur Reinhard Berner nga Spitali Universitar i Dresdenit, duke shtuar se rezultatet e para nuk kanë dhënë dëshmi që fëmijët kanë ndonjë rol në përhapjen e koronavirusit veçanërisht shpejt.

Ministri rajonal i Arsimit, Christina Piëarz, tha se ky studim tregon që shkollat mund të rihapen pas përfundimit të pushimit veror në fund të gushtit, por me disa kushte, përfshirë vendosjen e maskave dhe mbajtjen e distancës fizike, aty ku është e mundshme.