Studentja e UP pjesë e laboratorit më të madh në botë për fizikë nukleare

Studentja në Departamentin e Fizikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ardiana Bushi, është pranuar në CERN, njëri nga laboratorët më të mëdhenj në botë për fizikë nukleare, ka njoftuar Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Ardiana është përzgjedhur në mesin e 1424 aplikantëve nga e gjithë bota, për të kryer praktikën në programin “CERN Summer Student Programme”. Përzgjedhjen e saj, fizikanja e ardhshme e quan si një ëndërr të bërë realitet.

“Këtë program e kam parë që nga viti i parë kur kam filluar studimet. Pra, gjithmonë kam pasur dëshirë të jem pjesë e CERN-it, pasi që është ëndërr e çdo fizikani që së paku një herë në jetën e tij profesionale të jetë pjesë e këtij laboratori dhe të punojë në të”, rrëfen ajo.

Sipas saj, arritja e këtij suksesi ka qenë e vështirë, sidomos për një studente nga një vend i vogël siç është Kosova.
“Procesi i aplikimit në këtë program nuk është edhe aq i lehtë, pasi që kërkohen shumë detaje rreth përvojës në mbajtjen e eksperimenteve shkencore, për të cilat në Kosovë ka kushte minimale”, thotë Ardiana.

Ardiana u është falënderuese profesorëve të saj për përkrahjen.

“E falënderoj shumë prof. dr. Skënder Kabashin për përkrahjen e vazhdueshme dhe besimin. Gjithashtu edhe prof. dr. Shukri Klinakun për fjalët e mira në referencën e tij”, tregon ajo.

Për 8 javë sa do të qëndrojë atje, Ardiana pret të marrë një përvojë unike, të cilën thotë se kur të kthehet do ta ndajë me të tjerët”.