Leart Ajvazaj

Studenti kosovar përballet me Vuk Jeremiqin për krimet serbe në Kosovë në Universitetin e Cambridge

Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, u sfidua nga Leart Ajvazaj, një student i Kosovës në Universitetin e Cambridge në Mbretërinë e Bashkuar, derisa ishte i ftuar të flasë në Dhomën e Debatit të Cambridge Union.

Ai e përballi me disa fakte Jeremiqin i cili kishte qenë duke folur për kriminelin e luftës, Sllobodan Millosheviq, si një “diktator i çmendur” që kishte pasë Serbia. Por, Ajvazaj i vuri në dukje se Serbia e sotme nuk dallon nga Serbia e Millosheviqit dhe se të njëjtën narrativë e vazhdon edhe ish-ministri i Propagandës, presidenti i sotëm Vuçiq.

Ajvazaj përmendi edhe 744 shqiptarët e vrarë në Kosovë e që u varrosën në një varr masiv në Batajnicë dhe pyeti Jeremiqin se si i përgjigjet këtyre fakteve.

“Në këtë muaj [janar] shënohet 25 vjetori që kur 45 shqiptarë janë marrë nga shtëpitë e tyre në fshatin e vogël të Reçakut dhe janë vrarë nga trupat serbe. Në Serbi kjo sot konsiderohet teori konspirative dhe ky është qëndrimi i shtetit serb – i njëjti shtet në të cilin keni shërbyer. I njëjti shtet që ka vrarë 13 mijë civilë në vitet 98/99, përdhunoi mijëra gra dhe me forcë zhvendosi një milion shqiptarë jashtë shtëpive të tyre, përfshirë edhe familjen time. Unë s’kam dëgjuar asnjë falje nga shteti serb, ju s’e keni përmendur këtë gjatë kohës sa keni shërbyer si ministër i jashtëm dhe ju flisni për Millosheviqin, si një përvijues i madh, oh ai ishte diktator i çmendur, ai ishte Sadami ynë. Tani nuk kemi diçka të tillë. Epo, kjo qartësisht s’është e vërtetë. Nëse shikoni Serbinë më parë Millosheviqit për aq sa Kosova ka qenë e okupuar nga Serbia, këto plane të shfarosjes së shqiptarëve kanë ekzistuar. Lexo Çubriloviq, lexo Andriqin dhe nëse e shikon Serbinë që nga Millosheviqi, që kur ai vrau veten e tij… ju keni pasur lloj-lloj nacionalistësh në modë që thonë se ‘ne nuk e duam Millosheviqin’, por nxjerrin budallallëqe për Kosovën dhe më pas keni njerëz si ai që ka drejtuar qeverinë në 10 vitet e fundit, i cili fjalë për fjalë është dishepull i Millosheviqit, ai që ka qenë ministër i propagandës në qeverinë e Millosheviqit. Më falni, por kjo është thjesht qesharake”, tha Ajvazaj kur mori fjalën.

Ai e pyeti Jeremiqin se si përballet me këto fakte.

Në përgjigje Jeremiq iu shmang pyetjes direkte duke tentuar që të shprehë pikëpamjen e tij për “paqen” dhe “të vërtetën”. Ai përmendi edhe “shitjen e organeve” si e “vërteta tjetër”, por edhe këtu i ndërhyri Ajvazaj, duke i kujtuar se nuk ka prova për këtë.

“Unë personalisht mendoj që krimet e kryera në Ballkan në të 90-at janë të tmerrshme dhe s’duhen të mbrohen në asnjë mënyrë. Por, ato nuk janë kryer ekskluzivisht nga njëra palë dhe e vërteta është shumë ndryshe kur shikohet konteksti i dikujt që ka pasë familjen të rrëmbyer, të vrarë, të dërguar në varrin masiv në Batajnicë ose familja e dikujt e cila është rrëmbyer dhe më pas i janë nxjerrë organet dhe janë shitur në tregun e zi e që ka ndodhur te një numër…”.

“Më fal, s’ka prova…është bërë një raport që ka çuar në një gjykatë speciale dhe kjo gjykatë nuk ka prova që ka ndodhur diçka e tillë, prandaj kjo është vetëm propagandë”, tha Ajvazaj.

“Më lejoni që të mos pajtohem me ty sepse mënyra se si e kuptoj të vërtetën nuk është ky rasti. Na duhet ta kuptojmë versionin e të vërtetës së njerëzve të tjerë nëse ne duam vërtet paqe”.

Jeremiq vazhdoi duke thënë se Kosova për serbët është “vend i shenjtë” dhe “vendlindje” e serbëve.

“Shumë prej nesh në Serbi, përfshirë edhe veten, e konsiderojmë Kosovën vendin më të shenjtë të eksiztencës serbe, vendlindja e shtetit serb, vendlindja e kishës serbe, vendlindja e gjithçkaje që ne ndiejmë për veten tonë si një identitet etnik”, tha Jeremiq.

Videoja e plotë nga debati: