Studentët vijojnë protestën, ministrja Nikolla: Gati për t’i takuar (Foto)

Studentët u mblodhën sërish këtë të premte para Ministrisë së Arsimit për të protestuar. Pas plotësimit të një prej kërkesave të tyre, ata duan plotësimin e të tjerave.

Në kryeqytet, studentët kërkuan madje të komunikonin drejtpërdrejt me ministren Lindita Nikolla, por ministrja konfirmoi nga një aktivitet tjetër ku merrte pjesë se, është e gatshme të takohet dhe të diskutojë me ta.

Ndërkohë, studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan janë nisur drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës. Por, jo të gjithë protestuesit pranuan të hipnin në autobusët që ishin organizuar për të bërë transportin e tyre në kryeqytet. Mes tyre ka pasur edhe mosmarrëveshje.

Me protestën e Tiranës janë solidarizuar edhe studentët e Shkodrës, të cilët braktisën sot mësimin dhe u tubuan me pankarta përpara universitetit të tyre.

Protesta është mbajtur sot edhe në Universitetin e Korçës, “Fan Noli”. Studentet e këtij universiteti ishin në protestë edhe dje.

Ndryshe nga këto qytete, dje në Vlorë nuk pati protestë. Ajo është zhvilluar këtë të premte. Studentët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë kërkuar uljen e tarifave të studimit.

Protestuesit para Ministrisë së Arsimit janë në pjesën dërmuese të rinj nga qytete të ndryshme të vendit, që ndjekin universitetin në Tiranë. Ata tregojnë madje edhe kostot që u duhet të paguajnë në një vit akademik, të cilat siç thonë ata, janë të papërballueshme për familjet e varfra.