Përfaqësues të studentëve nga universitetet publike të Kosovës kanë kërkuar nga ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi të shkarkojë anëtarët e NISMA nga bordet drejtuese të universiteteve publike, duke paralajmëruar bojkot të njësive akademike nëse nuk plotësohet ky kusht dhe kërkesa të tjera që do t’i adresojnë në protestën e 16 janarit.
Diar Statovci nga Grupi i Pavarur i Studentëve të UP-së, ka thënë se protesta e 16 janarit vjen si pakënaqësi e studentëve lidhur me zhvillimet e fundit në MASHT në raport me universitetet publike.
Ai po ashtu ka treguar se kanë përkrahjen e të gjithave organizatave studentore të universiteteve publike.
Ai paralajmëroi se nëse çështjet nuk zgjidhen përmes protestave, do të bojkotojnë mësimin.
Kërkesa të ngjashme për ministrin Bytyqi ka pasur edhe kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prizrenit, Milot Krasniqi, i cili ndër të tjerash ka thënë se studentët e UPZ-së tash e tri vjet nuk po marrin bursa.
Përndryshe, këto pakënaqësi dhe kërkesa studentët do t’ia drejtojnë ministrit Shyqiri Bytyqi gjatë protestës së 16 janarit, që do të mbahet para MASHT-it me fillim nga ora 13:00.
Ata kanë njoftuar se nuk do të pranojnë asnjë takim me ministrin Bytyqi apo përfaqësues të institucioneve para mbajtjes së protestës.







