Studentët e mjekësisë paralajmërojnë protesta në rast se nuk hapet biblioteka për ta

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë, kanë paralajmëruar se do të ketë protesta në rast se nuk do të hapet biblioteka për këta studentë.

Ata kanë njoftuar se ky paralajmërim ka ardhur pas kërkesave të cilat janë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit, Rektoratin e UP-së dhe Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë.

Ardit Billalli, student i mjekësisë, ka thënë se ata do të presin deri javën tjetër nëse do të merret parasysh kërkesa e tyre, në të kundërtën do të mbahet një aksion simbolik.

Njoftimi është bërë në grupin e Fakultetit të Mjekësisë në Facebook, ku është mirëpritur nga studentë të shumtë të këtij fakultetin.

Ky është postimi i plotë:

Të gjithë jemi deshmitarë në lidhje me kërkesat e shumta për hapjen e bibliotekës për studentet e fakultetit të Mjekësisë, njëherit dëshmojmë se këto kërkesa janë dorëzuar në Minstrinë e Arsimit, Rektoratin e UP-së, si dhe Dekanatin e FM-së.
Poashtu përfaqeuesit tanë në kshille e parlament studentor e kane dorzuar të njëjtën kërkesë dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigjje në lidhje me kërkesat tona.

Gjithashtu, jemi të informuar që bibliotekat dhe sallat për lexim janë të hapura në disa komuna, kolegje private, madje edhe në disa njësi akademike të UP-së.

Duke pasur parasysh të gjitha faktet e lartcekura, kërkoj nga ju kolegë të nderuar që, duke shënuar numrin e ID-së në koment ta konfirmoni se, jeni të gatshëm ta perkrahni një aksion simbolik në shenjë proteste për pakënaqësitë tona, nëse nuk marrim përgjigje pozitive me anë të kësaj kërkese.