Lajmi i fundit

Stoltenbergu i telefonon sërish Haradinajt për Ushtrinë e Kosovës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sipas një njoftimi për media nga NATO-ja, thuhet se Stoltenberg e ka njoftuar Haradinajn se “Këshilli Veri-Atlantik pati një diskutim fillestar mbi ligjet e miratuara të fundmi mbi transicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)”.

“Sekretari i Përgjithshëm e njoftoi zotëri Haradinajn se, tani që mandati i FSK-së po evoluon, Këshilli Veri-Atlantik do të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në vitin e ardhshëm. NATO do të vazhdojë me misionin e saj të KFOR-it për të siguruar ambient të sigurt në Kosovë. KFOR-i operon në bazë të mandatit të OKB-së dhe nuk do të preket nga ligjet mbi transicionin e FSK-së”, thuhet në njoftimin e NATO-s.

Në fund thuhet se Stoltenberg do të vazhdojë angazhimin e tij me të gjithë aktorët relevantë për stabilitet rajonal.

Kujtojmë se pak ditë para votimit në Kuvend të ligjeve të FSK-së, Stoltenberg kishte biseduar në telefon me Haradinajn, të cilit i kishte thënë se “Transformimi i FSK-së në Ushtri është në kundërshtim me këshillat e shteteve anëtare të NATO-s”.