Stoltenberg: Marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë në pikën më të ulët

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se marrëdhëniet me Rusinë ndodhen në pikën më të ulët që prej fundit të Luftës së Ftohtë.

Këto komente shefi i Aleancës Veriatlantike i ka bërë në konferencën për media, në të cilën konfirmoi vendimin për përjashtimin e tetë anëtarëve të misionit rus në NATO, pas akuzave se punonin si agjentë sekretë të Rusisë.

Stoltenbergu ka thënë se vendimi për përjashtimin e rusëve u mor në linjë me atë që e quajti “ashpërsim i aktivitetit malinj të Rusisë”.

NATO-ja, sipas shefit të saj, ka parë aktivitete agresive të Rusisë jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe ndaj Aleancës në lidhje me shkeljen e marrëveshjeve për kontrollin e armëve.

NATO-ja ka ftuar Rusinë për takime, por Kremlini nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës.

Stoltenbergu ka komentuar edhe paktin e sigurisë mes Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Australisë.

Ani pse ka thënë se e kupton zhgënjimin e Francës për paktin, Stoltenbergu është shprehur i bindur se palët do të gjejnë një zgjidhje me të cilën do të pajtohen të gjithë.