NATO

Stoltenberg: Drafti i Asociacionit hap i rëndësishëm për ta çuar dialogun në drejtim konstruktiv

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përsëritur se propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që është bërë nga aleatët ndërkombëtarë, është një hap i rëndësishëm përpara për ta çuar dialogun në një drejtim konstruktiv.

Stoltenberg para takimit me ministrat e jashtëm të NATO-s, u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë të përmbahen nga retorikat nxitëse dhe të mos marrin ndonjë veprim që i rrit tensionet.

Ai ka thënë se është parë dhunë serioze në veri të Kosovës dhe për këtë arsye NATO ka shtuar edhe 1000 trupa në misionin KFOR. Ai ka thënë se do të shikohet të rritja e qëndrueshme e kontingjentit në KFOR.

“Sapo vizitova Kosovën, Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe takova liderët nga i gjithë rajoni. Dhe mesazhi im është se sigurisht NATO do të bëjë çdo gjë që është e nevojshme për ta ruajtur stabilitetin në këtë rajon. Është e rëndësishme për NATO-n. Ne kemi një histori atje. Dhe vetëm sa kemi rritur prezencën tonë në Kosovë për 1000 trupa shtesë. Por, ne tashmë kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm, me rritjen e pranisë sonë. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dhe ne gjithashtu besojmë se propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara për ta çuar këtë dialog në një drejtim më konstruktiv. Mesazhi im përsëri, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, ishte që të dyja palët duhet të përmbahen nga retorikat nxitëse dhe natyrisht të mos kryejnë asnjë veprim që mund të rrisë më tej tensionet në rajon”, tha Stoltenberg.

Çka ka thënë Stoltnerbergu gjatë vizitës së tij në rajon?

Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë është aty “për të siguruar paqen” ndërsa detyrat e zbatimit të ligjit “i takojnë autoriteteve të Kosovës dhe Policisë së Kosovës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë të përbashkët për media me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij në Beograd. Ndërkaq këtij të fundit njoftoi se ia ka përçuar një “shqetësim” mëngjesin e sotëm, se “grumbullimi i serishëm” i forcave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën “nuk e ndihmon gjendjen”.

Stoltenberg në takimin e tij me Vuçiqin njoftoi ia ka përçuar, siç tha ai, shqetësimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut në lidhje me sulmet ndaj KFOR-it më 29 maj “ku 93 prej ushtarëve tanë pësuan lëndime, disa me lëndime jetësore” si dhe sulmin paraushtarak të 24 shtatorit në Bansjkë të Zveçanit.

“Faktet duhet të zbardhen dhe autorët duhet të sjellën para drejtësisë”, tha Stoltenberg, ndërsa tha se “e mirëpres gatishmërinë e Serbisë për bashkëpunuar në këtë”.

Për sulmin e 24 shtatorit, Stoltenberg ta shkurt se “kjo është e papranueshme” ndërsa “NATO ka dërguar një mijë trupa shtesë dhe armatime më të rënda” dhe se “kjo ka qenë përforcimi më i madh i yni më i madh në Kosovë brenda një dekadë”.

Por, Stoltenberg la të kuptojë që ka pasur “sërish” një grumbullim forcash serbe përgjatë kufirit Kosovë-Serbi; teksa njoftoi edhe se Vuçiqit i ka folur saktësisht për këtë gjë: “Nuk e ndihmon situatën”, tha ai.

“Siç i thash Vuçiqit gjatë takimit, që grumbullimi ushtarak serb përgjatë vijës administrative përsëri nuk do ta ndihmojë situatën”.

Stoltenberg u pyet nga mediat në lidhje me mbrojtjen e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe shtimeve të patrullimeve përgjatë vijës kufitare, por sërish u kthye përgjigjes së njëjtë – se KFOR-i “nuk është forcë ligjëzbatuese” dhe se këto janë detyra të autoriteteve kosovare.

“Mendoj se duhet ta kuptoni çfarë NATO bën në Kosovë dhe atë se për çfarë ne s’kemi përgjegjësi në Kosovë”, tha ai.

“Që nga rritja e tensioneve dhe dhunës në veri, NATO ka vendosur të rris praninë e saj. Unë isha dje në veri, dhe çfarë pash është një forcë e përkushtuar e NATO-s që do të thotë se janë aty për të mbrojtur edhe serbët që jetojnë në veri të Kosovës”.

Gjithashtu, ai foli edhe për “rishikimin” e pranisë së trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë në një “bazë më të qëndrueshme”.

Stoltenberg, mes tjerash, njoftoi se “gjatë takimit folëm për vazhdimin e ushtrimeve të përbashkëta ushtarake mes NATO-s dhe Ushtrisë së Serbisë, dhe mirëpritëm për rinisjen e këtyre ushtrimeve”.

“NATO ka dërguar një mijë trupa shtesë dhe armatime më të rënda; kjo ka qenë përforcimi më i madh i yni më i madh në Kosovë brenda një dekadë…E mirëpres koordinimin e vazhdueshëm me Forcat Ushtarake të Serbisë dhe KFOR-it, kjo është e rëndësishme për të ndarë informacione kohore për të shmangur çfarëdo keqkuptimi”, ka thënë Stoltenberg.