Forcat e Armatosura

Stërvitja e Batalionit të Këmbësorisë të Ushtrisë Shqiptare, Peleshi: Përballemi me rritje të kërcënimeve dhe kundërshtarëve të vlerave perëndimore

Përfundon me sukses stërvitja kompaktësuese dimërore e Grup – Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë të Ushtrisë Shqiptare e koduar “Mbrojtja e Qëndrueshme 2024”.

Në ditën e fundit të kësaj stërvitje, e cila u zhvillua në rajonin e Pukës morën pjesë presidenti i Republikës, njëherësh komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Bajram Begaj, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Arben Kingji si dhe komandantë të forcave.

Në fjalën e tij ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi përgëzoi efektivët, djemtë dhe vajzat e Grup – Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë, e cila është një njësi e certifikuar nga NATO, si forcë e gatshme për dislokim dhe operim në ndërveprim të plotë me Aleancën, si edhe të njësive të tjera që u përfshinë në këtë stërvitje, për përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre.’

“Mjedisi i sotëm i sigurisë, karakterizohet nga një numër në rritje i kërcënimeve dhe kundërshtarëve të vlerave perëndimore. Agresioni brutal i Rusisë kundër Ukrainës dhe konflikti në Lindjen e Mesme kanë tronditur rendin dhe sigurinë globale duke sjellë nevojën jo vetëm të një reagimi të përbashkët nga të gjithë vendet e Aleancës, por dhe atë të zhvillimit të kapaciteteve kritike dhe të forcimit të qëndrueshmërisë kombëtare”, u shpreh ministri Peleshi, duke evidentuar faktin se fokusi është në atë që po ndodh sot në rajonin tonë, i cili vazhdon të mbetet një rajon i brishtë dhe me tensione të provokuara që tentojnë destabilizimin e tij.

“Ndaj sot kemi një Strategji të re të Sigurisë Kombëtare, e cila do të pasohet së shpejti nga Strategjia Ushtarake dhe Plani Afatgjatë i zhvillimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ky bazament i fortë strategjik, na jep një shtysë për të konsoliduar dimensionin operacional dhe taktik duke vendosur theksin tek transformimi i pandërprerë i forcave dhe i kapaciteteve tona”, – deklaroi z. Peleshi.

Sipas ministrit të Mbrojtjes këto kapacitete do të testohen shumë shpejt në funksion të stërvitjes së madhe të NATO “Steadfast Defender 2024”. Ministri i Mbrojtjes u shpreh i kënaqur me faktin se këtë vit përmbushet zotimi për investimet në 2 përqind të PBB në kuadër të NATO për Sigurinë dhe Mbrojtjen, ndërsa theksoi vijimin e mbështetje financiare dhe sociale për personelin ushtarak.

Në fjalën e tij, presidenti i Republikës Bajram Begaj u shpreh se: “Shqipëria ka qenë dhe mbetet euroatlantike në frymë dhe në veprim. Si popull historikisht paqedashës, orientimi ynë është paqja dhe siguria, ndaj sot është me rëndësi jo vetëm solidariteti me vlerat e vendeve të tjera anëtare, por edhe forcimi i mëtejshëm i lidhjeve transatlantike”.

Nga ana e tij, komandanti i Forcës Tokësore gjeneralmajor Ilir Xhebexhia teksa shprehu falenderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen ndaj ushtarakëve u zotua se kjo forcë do të jetë e angazhuar dhe do të punojë me përkushtim, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë për realizimin e çdo detyre dhe në përmbushje të detyrimeve ndaj Aleancës.

Stërvitja “Mbrojtja e Qëndrueshme 2024” është pjesë e programit trajnues dhe stërvitor vjetor të Forcës Tokësore për këtë vit dhe zhvillohet në një moment kyç, pasi prej 1 nëntorit 2023 kjo forcë ka kaluar në strukturën e re organizative, e cila konsiston në një forcë ushtarake më efektive, e kompletuar me personel, e mirëpajisur me armatim dhe teknikë të avancuar, e mirëtrajnuar, e stërvitur dhe e motivuar, e gatshme të kryejë misionin kushtetues në mbrojtje të vendit.