Gjykatësi Vidar Stensland është rizgjedhur kryetar i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

“Më 31 maj 2024, gjykatësit e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese (DHSGJK) zgjodhën gjykatësin Vidar Stensland si gjykatës kryesues të DHSGJK-së për një mandat të ri njëvjeçar i cili fillon më 1 qershor 2024”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq ky është mandati i katërt i gjykatësit Stensland si kryesues I DHSGJK-së. Sipas të dhënave zyrtare në faqen e DhSK-së, Stensland nga viti 2013 deri më 2016 ka punuar si gjykatës i EULEX-it në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.