Stefanoviq: Liderët e Kosovës nuk po shkojnë rastësisht në Amerikë
Ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, ka deklaruar sonte se zgjidhja për Kosovën nuk është as në horizont.
“Edhe presidenti Vuçiq ka thënë se zgjidhja nuk po shihet gjëkundi, nuk ekziston kurrfarë zgjidhje”, ka thënë Stefanoviq në parlament, duke iu përgjigjur deputetëve sa është ende aktuale zgjidhja përmes korrigjimit të kufijve që dërgon në një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Stefanoviq ka thënë se autoritetet kosovare nuk dëshirojnë asnjë marrëveshje, sepse, sipas tij, ata presin që fuqitë perëndimore ta përfundojnë tërë punën.
“Dhe duke e ditur se e kanë mbështetjen e vendeve të mëdha dhe të fuqishme, besojnë se mund të bëjnë çfarë të dojnë”, ka thënë ai, transmeton Ballkani.info.
“Nuk ekziston gatishmëria e njerëzve që sot i drejtojnë institucionet e Prishtinës që të bisedojmë për tema të përgjithshme”, shtoi Stefanoviq.
Sipas tij, ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës de fakto nuk marrin pjesë, por janë bërë pjesë e protestave të popullit serb.
“Ata nuk janë faktor që vendosin për gjithçka në Kosovë. Atje nuk vendosin as shqiptarët, ata aty janë vetëm biologjikisht, janë faktor, por jo kryesorët. Nuk shkojnë në Amerikë rastësisht, shkojnë që t’ju thonë çfarë mendojnë për këtë, çfarë duhet të bëjnë”, ka thënë Stefanoviq.