Ministri

Stefanoviq: Automjetet e KFOR-it po i frikësojnë serbët

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq tha sot se ka informacione se një kolonë e madhe e automjeteve të KFOR-it, e cila përfshin automjete për thyerjen e barrikadave dhe bllokadave, hyri në veri të Kosovës dhe se, përveç paralajmërimit për formimin e Ushtrisë së Kosovës, kjo gjithashtu sjell frikë në popullatën serbe.

“Është e qartë se ky moment, kur është shpallur krijimi i të ashtuquajturës Ushtri e Kosovës, është krejtësisht në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe mandatin e NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë, përdoret për të shtuar frikë në mesin e popullatës serbe dhe përkeqëson situatën”, tha ai, transmeton Klan Kosova.

KFOR-i nga ana tjetër ka njoftuar se janë duke zhvilluar stërvitje në veri të Kosovës.

Kjo është dita e dytë e stërvitjeve që nisën dje, ku autokolonat e KFOR-it lëvizën në drejtim të Prizrenit. Ndërsa sot lëvizjet po bëhen në drejtim të veriut të Kosovës.

Sipas njoftimit të KFOR-it në pajtim me Rezolutën 1244, trupat e kësaj force e trajnojnë gatishmërinë e tyre për t’u vendosur shpejt në të gjithë Kosovën.