Drejtori i PDK-së

Stavileci: Qeveria mashtroi prodhuesit e miellit – Ata duhet të përkrahen e jo të dëmtohen

Drejtori i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci u ka dalë në mbrojtje prodhuesve të miellit në Kosovë të cilët nuk u mbështetën nga Qeveria në këtë kohë pandemie dhe u dobësuan edhe më shumë me vendimin për hapjen e tregut kosovarë për miellin që tanimë vjen në Kosovë nga Serbia.

Ish-ministri i Bujqësisë që njihet për nisjen e reformave të mëdha në këtë sektor, ka shkruar në faqenne tij në Facebook se Qeveria e vetëshkarkuar është dashur të mbështesë prodhuesit e miellit në Kosovë, të cilët siç tha Stavileci, kanë bë shumē për popullin e Kosovës, para, gjayë dhe pas luftës.

Deklarata e plotë e Blerand Stavilecit:

Për Qeverinë e vetëshkarkuar sot ishte një ditë e kobshme. Ajo shkeli Kushtetutën dhe lejoi hyrjen e fshehtë të 100 mjekëve e infermierëve nga Beogradi në Kosovë. E një vendim i saj i gabuar ishte edhe më i kobshëm për prodhuesit e devotshëm vendorë të miellit e të grurit. Në vend që ajo ata t’i vlerësojë e t’u shprehë mirënjohje dhe përkrahje për misionin e tyre të suksesshëm, si në kohë lufte e edhe tash në kohë të kësaj krize duke punuar pa ndërprerje, vetëm e vetëm që të plotësohen kërkesat e popullatës me bukë, ajo po i ndëshkon dhe po u vë barriera, të cilat e rrezikojnë edhe ekzistencën e tyre.

Së pari Qeveria e vetëshkarkuar, këta heronj të luftës dhe të paqes, i përjashtoi nga çdo lloj përkrahje e subvencionimit, e sidomos tani me pakon e fundit fiskale. I la ata në mëshirën e fatit, nuk u dha siguri për prodhim, lejoi radhë të gjata para fabrikave të tyre, nuk u dha asnjë masë mbrojtëse, e për më keq lejoi në mënyrë të pakontrolluar mundësinë e përhapjes së virusit si rezultat i grumbullimit të njerëzve pa mbrojtje para fabrikave. Së dyti, duke mos u mjaftuar me kaq, kjo qeveri e papërgjegjshme, mori tjetër vendim të dëmshëm e arbitrar, për pezullimin e vendimit që lidhej me aplikimin e masave mbrojtëse kundrejt prodhuesve serbë, duke i mundësuar kështu Serbisë hapje të rrugës pa pengesa në tregun e miellit në Kosovë.

Prandaj, kjo situatë e krijuar nga kjo qeveri e mashtrimit, i vendos prodhuesit e miellit në pozitë jo të mirë në tregun e Kosovës dhe rrezikon ekzistencën e tyre. Me këtë rrezikohet edhe komplet prodhimtaria e grurit në Kosovë me mbi 40 mijë bujq prodhues të grurit. Po ashtu edhe shumë punëtorë të cilët janë të punësuar në industrinë e përpunimit të grurit tek ne, si dhe një numër shumë i madh i të vetëpunësuarve në këtë sektor po injorohen tërësisht. Me qëllim që prodhuesit e miellit dhe bujqit prodhues të grurit në Kosovë të mos mbesin në mëshirën e eksportuesve serbë dhe të vazhdojnë të dëmtohen, ne jemi në krah të tyre, si dhe kërkojmë urgjentisht pezullimin e vendimit të sotëm, heqjen dorë nga këto lloj praktikash vendimmarrjeje të padrejta e të dëmshme, dhe instalimin e menjëhershëm të vepimeve që mbrojnë dhe ruajnë prodhuesit tanë vendorë.