Stavileci, PDK: Me ekskursione qeveritare nuk luftohet kriza ekonomike dhe inflacioni

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, tha se inflacioni i çmimeve në Kosovë ka shënuar rekord të zi ku norma vjetore e interesit në muajin prill ka arritur në 11.2 përqind.

Përballë kësaj krize të rëndë ekonomike, Stavileci tha se Qeveria po qëndron si spektatore.

“Me ekskursione të gjata e të padobishme qeveritare nuk luftohen krizat ekonomike dhe inflacioni. Sot përsëri jemi dëshmitarë të një rekordi edhe më të zi për sa i takon inflacionit të çmimeve në vendin tonë. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill 2022 ishte 11.2%. Ndërkaq, Qeveria e vendit tonë nga një spektatore krizash të brendshme është kthyer në një pasionante ekskursionesh jashtë vendit”, ka shkruar Stavileci në faqen e tij në Facebook.

Të gjitha këto goditje të njëpasnjëshme për qytetarët dhe ekonominë, siç thotë Stavileci, nuk po i këndellin pushtetarët nga rrethi vicioz i ideve dhe gjumi i thellë që i ka kapluar.

“As mundin minimal nuk po e marrin që me masa e intervenime ekonomike t’i japin përgjigje krizës ekonomike. Hiperdeflacioni qeveritar po e rritë pasigurinë dhe pamundësinë e qytetarëve për t’u përballë me të gjitha këto kriza që po rëndojnë mbi kurrizin e tyre”, tha Stavileci.

Sipas tij, dalja nga ky rreth vicioz i mosveprimit të pushtetarëve dhe apatisë qeverisëse, nuk është çështje e fantazisë shkencore, por pikë së pari është çështje e moralit qeveritar dhe vullnetit politik për të respektuar qytetarët dhe shtetin tonë.