Prishtinë

Stavileci flet për Prishtinën, “Plisat” dhe basketbollin kosovar, ky është premtimi i tij

Kampioni i shumëfisht i Kosovës në basketboll, KB Prishtina në edicionet e fundit sikur e humbi shkëlqimin! Epitetin e kampionit për dy vite më radhë e mori KB Ylli, derisa ‘Plisat’, tifozët e Prishtinës nuk u pajtuan me këtë fakt.

Tifozët ultras, që së fundi kremtuan 35 vjetorin, kërkuan ndryshime në klub, derisa nuk vonoi shumë edhe dorëheqja e Kryetarit Burim Maraj, i cili tha se po shkon për shkaqe personale.

Në krye të klubit u rikthye ish-Kryetari i klubit, Blerand Stavileci, veq se tani në mungesë të kohës së mbajtjes së Kuvendit, kryesia e emëroi ushtrues detyre të kryetarit. Stavileci, i cili përvjeli mëngët duke e fituar menjëherë organizimin e Superkupës, për lexuesit e Albanian Neës dha një intervistë.

Pas dorëheqjes së Kryetarit Burim Maraj, u rikthyet te Prishtina. Si ishte gjendja e klubit?!

Klubi i Basketbollit Prishtina është klub i madh, është histori kampionësh, është shtëpi vlerash. Ka disa vite që është shndërruar në një brend sportiv të njohur edhe jashtë Kosovës. Sikurse për të gjitha klubet sportive dhe jo vetëm, dy vitet e fundit ishin të vështira. Burimi udhëhoqi një mision të vështirë për ta rikthyer klubin në binaret e duhura. E tani është koha e rikthimit në nivele të larta, aty ku e ka vendin Prishtina. Brenda Kosovës pikë referimi edhe për klubet e tjera, e jashtë Kosovës referencë për sportin e Kosovës. Ky është misioni im.

Duke e ditur të kaluarën e suksesshëm të klubit sa ishit në krye, a mund te presin “Plisat” sërish një Prishtinë të trofeve?!

Prishtina i ka trofetë në gjenezën e saj sportive. Disi për Prishtinën ato nuk janë qëllimi, por përkatësia. Të mos i fitosh ato është risi, t’i fitosh është rutinë. Por, megjithatë, liga sivjet dhe ekipet janë shumë konkurruese, prandaj çdo projeksion tani është i hershëm dhe lehtësisht i ndryshueshëm.

Kemi parë këtë vit vendime të quditshme nga FBK, bordi i së cilit mori vendime edhe pas fillimit të edicionit. Gjithashtu pjesa më e madhe e elitës dolen kunder vendimit për nr e lojtarëve të huaj. Duke ia shtuar edhe paraqitjet zhgënjyese të përfaqësueses. Si i shihni këto veprime dhe në përgjithësi zhvillimet në FBK?!

FBK dhe klubet duhet të punojnë shumë. Klubet i duhen Federatës, Federata i duhet klubeve. Sa më të organizuara klubet aq më e fuqishme duhet të jetë federata dhe anasjelltas. Kur klubet punojnë mirë dhe investojnë shumë Federata duhet ta ngrisë nivelin e shërbimeve ndaj tyre dhe të mendojë e krijojë forma inovative të përkrahjes. Edhe profesionale, edhe teknike, edhe materiale, edhe financiare. Po ashtu për sa i takon vendimeve strategjike që lidhen me cilësinë e garave duhet vazhdimisht të konsultohet me klubet. Po e shihni edhe tani, vendimi i inicuar nga 6 klube për formulën me 5 lojtarë të huaj (3 në parket e 2 në bankë) doli të ketë qenë i qëlluar. Të gjitha klubet kanë krijuar rosterë kualitativë. Madje edhe ato dy klube që ishin kundër kësaj formule.

Ju i takoni lojtarëve kur mbizotëronin në elitën e viteve të shkëlqyeshme. Tani shohim pak lojtarë vendor në konkurencë. Si e shihni zhvillimin e lojtarëve të ri?

Të gjithë themi se ka mungesë, mundohemi në atë mënyrën tonë, por në fund prapë lojtarët vendorë po na mungojnë. Tani kur gjendjen e kemi të ditur, e jona është të gjejmë e bëjmë zgjidhje. Ne jemi që të gjithë lojtarët shqiptarë të konsiderohen vendorë. Kjo nuk përbën ndonjë vendim të papritshëm, përkundrazi shumë i natyrshëm. Të gjithë do ta mirëprisnin dhe të gjithë do të përfitonin, madje edhe vetë kombëtarja jonë, rezultatet e së cilës nuk guxojnë të jenë në mëshirën e kohës deri sa të prodhohen lojtarët e rinj.

Do të ju shohim së shpejti në krye të FBK?

Unë jam në krye të Prishtinës. Prishtina është në krye të detyrës misionare për zhvillimin e basketbollit. Zhvillimi i basketbollit sot nuk është më vetëm imperativ sportiv, ai është edhe kulturë e të jetuarit. Sot, palestrat janë të mbushura e të stërmbushura. Tifozët i janë kthyer palestrave, sponzorët i janë kthyer klubeve të basketbollit, klubet i janë kthyer cilësisë organizative dhe sportive. Ky është rrethi i suksesit. Të gjithë kemi obligim për ta mbajtur të konsoliduar. Natyrisht federata pak më shumë sesa klubet. Por, edhe klubet e kanë pjesën e vet të përgjegjësisë. Me punë e energji pozitive rrjedhat e zhvillimit duhet të jenë dhe do të jenë të frytshme. Prishtina është aty ku është energjia pozitive dhe zhvillimi.