Stafi i MSH-së falënderon Vitinë: E mbrojtëm Kosovën nga kolapsi i shëndetit publik

Arben Vitia është larguar nga posti i ministrit të Shëndetësisë, pas votimit të Qeverisë të re Hoti.

Stafi i Ministrisë së Shëndetësisë ka thënë se gjatë këtyre tre muajve të pandemisë kanë arritur ta mbrojnë Kosovën nga kolapsi i shëndetit publik.

“Erdhëm së bashku deri këtu, me besimin e ndërsjellë. Këta tre muaj shënojnë një stad të ri për vendin. Sakrifikuam shumë që të mos gjunjëzoheshim dhe ia dolëm.
Në këmbë dhe solidarë”, thotë stafi i Ministrisë së Shëndetësisë duke falënderuar Vitinë në Facebook.

Postimi i plotë:

Deri këtu arritëm së bashku. Me shumicën që ndihmuan dhe punuan. Mësuam e pësuam shumë, por e mbrojtëm Kosovën nga kolapsi i shëndetit publik.
Ne ia dolëm, sepse nuk vendosëm theksin tek ndëshkimi apo zënia në gabim, por tek solidariteti. Dhe, kësaj kërkese me gjithë vështirësitë apo inercitë e zakoneve të dashura të jetës sonë familjare e kolektive iu përgjigjën me mirëkuptim shumica dërmuese e qytetarëve të Republikës.
Erdhëm së bashku deri këtu, me besimin e ndërsjellë. Këta tre muaj shënojnë një stad të ri për vendin. Sakrifikuam shumë që të mos gjunjëzoheshim dhe ia dolëm.
Në këmbë dhe solidarë.