Si makineria më e kushtueshme e ndërtuar ndonjëherë me rreth 150 miliardë dollarë, Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor mbushi të enjtën 20 vjet duke orbituar tokën me rreth 16 rrotullime në ditë.

Ndërtimi i tij nisi në nëntor 1998, ndërsa arritja e tij madhore erdhi në 2000 me ardhjen e ekuipazhit të tij të parë njerëzor, një kozmonaut amerikan dhe dy rusë. Prej atëhere më shumë se 230 vizitorë nga 18 vende të ndryshme kanë qenë pjesë e tij.

Stacioni hapësinor nuk është vetëm një arritje teknologjike por një shembull i shquar i bashkëpunimit ndërkombëtar. “Mënyra e ndërtimit të programit me partnerët tanë ndërkombëtarë është shembulli më i mirë i realizimit paqësor të gjërave të komplikuara”, thotë ish-astronautja e NASA, Nicole Stott.

Ndërtimi i stacionit ka qenë një mrekulli inxhinierike, teksa materialet janë lëshuar në hapësirë në një seri misionesh, për t’u montuar në ambientin armiqësor pa ajër.

“Performimi i këtyre udhëtimeve ka qenë një sfidë madhore pasi krijimi i stacionit kërkonte montimin e 30 pjesëve kryesore të ndërtimit të tij”, shkruan David Nixon në librin e tij “Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor: Arkitektura përtej tokës.”

Në rreth 42 fluturime janë sjellë elementët kryesorë të strukturës, 37 në fluturime shuttle amerikanë dhe pesë me mjete hapësinore ruse.