Sri Lankë: Partitë opozitare mblidhen për të formuar qeverinë e re, pas protestave masive

Të gjitha partitë opozitare të Shri Lankës u dakorduan të takohen sot, me shpresën për të krijuar një qeveri koalicioni për të marrë drejtimin, pasi protestat e ashpra detyruan presidentin Gotabaya Rajapaksa dhe kryeministrin Ranil Wickremesinghe të jepnin dorëheqje.

Partia kryesore e opozitës, Samagi Jana Balawegaya (SJB), do të takohet me partitë e tjera opozitare, me synimin për të arritur një konsensus, në mënyrë që ata të mund të formojnë një qeveri.

Ligjvënësi i opozitës tha se një koalicion i të gjitha partive opozitare mund të arrijë lehtësisht 113 anëtarët e nevojshëm për të formuar një shumicë parlamentare.

Kryeministri Wickremesinghe tha dje se do të dorëhiqej për t’i  hapur rrugën një qeveri të re, raporton DW, transmeton Klankosova.tv.

Presidenti Rajapaksa gjithashtu pranoi të jepte dorëheqjen disa orë më vonë, pas disa muajsh protestash që kërkonin largimin e tij, të cilat arritën dje kulmin, me mijëra protestues që sulmuan rezidencën e tij.

Sulmi i shtëpisë së Rajapaksas në kryeqytetin Colombo detyroi ushtarët të qëllonin me armë zjarri në ajër, në mënyrë që presidenti të mund të ikte me ndihmën e marinës. Nuk ishte e qartë se ku u dërgua më pas.

Protestuesit qëndruan natën në pallatin presidencial, duke thënë të dielën se nuk do të largohen derisa Rajapaksa të largohet përfundimisht nga pushteti.

Aktivistët studentorë, të cilët kanë luajtur një rol të madh në protestat kundër qeverisë, thanë se gjetën 48,000 euro në dhomën e Rajapaksa, të cilat ia dorëzuan policisë.

Protestat dhe zemërimi ndaj qeverisë erdhën teksa vendi rrëshqiti në krizën më të keqe ekonomike në historinë e tij të pas-pavarësisë.