Me shtatlartësinë e saj të veçantë dhe pozat e guximshme, ajo u bë një nga supermodelet e para që revolucionarizuan botën e modës dhe fotografinë, ka shkruar CNN.

Lajmi për vdekjen e saj u bë publik përmes faqes zyrtare të markës luksoze të brendit të motrës së saj, Catharina Kappelhoff-Wulff. Në njoftim, Veruschka u cilësua si një “grua e jashtëzakonshme” dhe “ikonë botërore”, e cila gjatë viteve ’60 dhe ’70 ndikoi si pak të tjerë në modë, art dhe fotografi.

E lindur në vitin 1939 në Königsberg, në atë kohë pjesë e Prusisë Lindore, Veruschka pati një fëmijëri të vështirë, të shënuar nga Lufta e Dytë Botërore. Babai i saj, Heinrich Graf von Lehndorff, ishte pjesëtar i rezistencës gjermane kundër Adolf Hitlerit dhe u ekzekutua për përfshirjen në atentatin e dështuar ndaj diktatorit, në vitin 1944.

Pas luftës, familja u vendos në Hamburg, ku ajo studioi art. Më vonë u transferua në Firence të Italisë, ku në moshën 20-vjeçare u zbulua nga fotografi Ugo Mulas.

Me gjatësi mbi 1.80 metra, tipare të veçanta dhe një stil krejt ndryshe nga modelet e kohës, Veruschka solli një qasje të re në fotografimin e modës. Ajo nuk ishte thjesht një modele që pozonte para aparatit, por merrte pjesë aktive në krijimin e fotografive.

Në mesin e viteve ’60, ishte kthyer në një nga modelet më të njohura dhe më të paguara në botë. Kryeredaktorja e atëhershme e revistës Vogue, Diana Vreeland, e vlerësoi shumë dhe e vendosi plot 12 herë në kopertinën e revistës.

Gjatë karrierës bashkëpunoi me emrat më të mëdhenj të modës, mes tyre disenjatorët me nam si Valentino Garavani, Yves Saint Laurent dhe Karl Lagerfeld. Fotografi i famshëm Richard Avedon e cilësoi atë si “gruan më të bukur në botë”.

Një nga bashkëpunimet më të njohura të saj me Avedon ishte realizimi i fotosesionit “Great Fur Caravan”, një projekt prej 26 faqesh për Vogue, i fotografuar gjatë pesë javëve në Japoni. Revista shpenzoi rreth 1 milion dollarë për realizimin e tij, një shumë që sot do të vlente afërsisht shtatë herë më shumë.

Veruschka u shfaq edhe në filma, ndër të cilët spikat “Blow-Up” i regjisorit Michelangelo Antonioni, ku luajti vetem në një skenë të famshme përkrah aktorit David Hemmings. Ajo pati gjithashtu një rol në filmin “Casino Royale” të vitit 2006.

Pas largimit nga modelimi tradicional në vitet ’70, ajo iu përkushtua artit dhe krijimtarisë personale.

Pas lajmit për vdekjen e saj, shumë figura të fotografisë dhe modës ndanë homazhe. Ish-partneri i saj, fotografi italian Franco Rubartelli, tregoi se kishin rikthyer kontaktet së fundmi, pas më shumë se 50 vjetësh pa komunikuar.

“Jeta më dhuroi një dhuratë të hidhur: pas më shumë se pesëdhjetë vjetësh pa ditur asgjë për njëri-tjetrin, më lejoi të dëgjoja sërish nga Veruschka. Dhe tani, pikërisht kur ajo derë ishte hapur vetëm pak centimetra pas gjysmë shekulli, era e përplasi përsëri”, ka shkruar ai.

Fotografi Nigel Barker, i njohur edhe si pjesë e jurisë së “America’s Next Top Model”, e vlerësoi për ndikimin që pati në fotografinë e modës.

“Pata privilegjin ta fotografoja në vitin 2001. Ishte një moment shumë i rëndësishëm në karrierën time. Ajo ishte mishërimi i stilit dhe elegancës, por njëkohësisht jashtëzakonisht modeste gjatë punës me ekipin tonë. Të gjithë mësuam shumë nga puna me një ikonë të vërtetë”, ka shkruar ai.

Pavarësisht famës dhe suksesit, Veruschka nuk e kishte parë kurrë veten vetëm si modele.

“Unë nuk kam dashur kurrë të jem modele, një objekt pa kuptim. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të jem e lirë të largohem kur nuk ndihem mirë dhe të kem lirinë të jem plotësisht vetvetja”, pati thënë ajo në një intervistë për gazetën gjermane Bild, në vitin 2008.