Delegacioni i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i udhëhequr nga gjeneralmajor Ferdinant Dimo, ka përfunduar vizitën zyrtare dyditore në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Delegacioni shqiptar u prit nga komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, së bashku me përfaqësues të tjerë të lidershipit të kësaj komande, transmeton IndeksOnline.

Gjatë vizitës u zhvilluan takime dhe diskutime për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy institucioneve, si dhe për mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të partneritetit, veçanërisht në fushën e edukimit, arsimimit dhe zhvillimit profesional të pjesëtarëve të të dyja forcave.

Sipas njoftimit të FSK-së, vizita shërbeu edhe për shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e mundësive të reja të bashkëpunimit institucional.

Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet FSK-së dhe FARSH-së, si dhe për avancimin e kapaciteteve profesionale përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave.