Në këtë përvjetor, ai ka kujtuar edhe dy djemtë e Liridonës, të cilët po rriten pa praninë e nënës së tyre, ndërsa ka kërkuar burgim të përjetshëm për ata që ia morën jetën.
Postimi i plotë:
29 Nëntor – 3 vite pa ty, Liridona jonë… 🕊️
Sot bëhen 3 vite që kur na u këput një pjesë e shpirtit, 3 vite që jetojmë me mungesën, dhimbjen dhe mallin për ty, motra jonë e shtrenjtë. Ka ditë që na duket sikur gjithçka ka ndodhur dje, sikur ende presim të të shohim, të dëgjojmë zërin tënd e të të përqafojmë edhe një herë. Por realiteti është i padrejtë, ti nuk je më mes nesh.
Kujtimet me ty nuk do të shuhen kurrë. Buzëqeshja jote, fjalët e tua, dashuria që na falje dhe çdo moment që kemi kaluar bashkë do të jetojnë përgjithmonë në zemrat tona. Edhe pse na u more në mënyrën më të dhimbshme, askush nuk mund të na i marrë kujtimet, dashurinë dhe mallin që kemi për ty.
Më së shumti na dhemb për dy djemtë e tu, të cilët sot rriten pa e pasur nënën pranë, pa përqafimin e saj, pa zërin e saj që i thërret, pa dashurinë që vetëm një nënë mund ta falë. Ata u privuan nga gjëja më e shtrenjtë, nga nëna e tyre, nga dy duar që do t’i mbanin gjithmonë, nga një dashuri që nuk zëvendësohet kurrë. Një plagë që nuk do të mbyllet lehtë.
Burgimi i përjetshëm për ata që ta morën jetën është pak për atë që kanë shkaktuar. Asnjë dënim nuk të kthen ty, asnjë ditë burgu nuk i shlyen lotët, dhimbjen dhe boshllëkun që na ke lënë. Ne do të donim vetëm të ishe gjallë, të ishe këtu, mes nesh dhe fëmijëve të tu.
Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që na kanë qëndruar pranë gjatë gjithë këtij procesi të dhimbshëm, që na kanë dhënë forcë, mbështetje dhe nuk na kanë lënë vetëm në ditët më të vështira. Mbështetja juaj ka pasur shumë rëndësi për familjen tonë.
Liridona, do të të kujtojmë përjetë. Emri yt, jeta jote dhe dhimbja për humbjen tënde nuk do të harrohen. U prehsh në paqe, motra jonë.






