Në këtë tokë me rrënjë të thella historike, ku arkeologjia ka dëshmuar gjurmë të qytetërimit të lashtë dardan, Nusja Dardane vjen si një simbol i bukurisë, identitetit, traditës dhe krenarisë së trashëguar ndër breza.
Monumenti është realizuar nga Gitor Shpk dhe Fondacioni Prof. Fehmi Ramadani, si një investim në kulturë, trashëgimi dhe kujtesën historike, me synimin që Smira të pasurohet me një simbol të përhershëm që do t’u mbetet brezave.
Në ceremoninë e zbulimit morën pjesë përfaqësues institucionalë, personalitete dhe figura të njohura, ndër ta kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Bekim Azizi, kryetari i OVL-së së UÇK-së në Viti, Idriz Quni, anëtarë të Këshillit të Fshatit Smirë, Ramush Ahmetaj – komandant i Njësisë Speciale Elite të Dukagjinit në UÇK, si dhe Agon Hana, nip i Xheladin Hanës.
Vendosja e shtatores në rrethrrotullimin e Smirës, me përkrahjen unanime të Këshillit të Fshatit, shënon një vepër që synon të mos jetë vetëm monument artistik, por edhe një pikë referimi për këtë vend, për vizitorët dhe për brezat e ardhshëm.
Smira, e cila tashmë lidhet edhe me zbulime që kanë zgjuar interesim për historinë dardane, sot pasurohet me një simbol të ri, që e lidh të kaluarën me të tashmen dhe i jep historisë një formë të dukshme në zemër të fshatit.
Nga Labirinti Dardan te Nusja Dardane, Smira vazhdon të dëshmojë se historia nuk është vetëm ajo që ruhet në libra, por edhe ajo që ndërtohet, kujtohet dhe nderohet sot.






