Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, pas shfaqjes së videos kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Kuvend, ka kritikuar pushtetin, duke e cilësuar veprimin si hipokrizi politike.

Haradinaj ka thënë se, në njërën anë, në Kuvend shfaqen video kushtuar UÇK-së, ndërsa, në anën tjetër, veteranët e saj janë përjashtuar nga paga minimale, së bashku me Listën Serbe.

“Edhe sot e pamë edhe e vërtetuam një tallava patriotike. Pra, në Kuvend u shfaq videoja e daljes publike të UÇK-së, nga ata që bashkë me Listën Serbe i kanë përjashtuar veteranët e UÇK-së nga paga minimale”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka thënë se veteranët janë lënë në gjendje të rëndë ekonomike, ndërsa e ka akuzuar pushtetin për mashtrim ndaj qytetarëve.

“Pra, kuptoni pse po reagoj, edhe të dashur qytetarë të vendit, këta janë mashtrues. Pra, e shfaqin videon e daljes publike të UÇK-së, në të njëjtën kohë këta, së bashku me Listën Serbe, i kanë përjashtuar veteranët nga paga minimale dhe i kanë lënë në mjerim”.

Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve që, sipas tij, ta kuptojnë atë që e cilësoi si mashtrim dhe pafytyrësi të pushtetit.

“Le ta besojnë të gjithë, pra, këtë pafytyrësi edhe këtë mashtrim të tyre”.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në prag të përvjetorit të daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe një ditë para Ditës së Forcës, ka deklaruar se po vazhdojnë angazhimin që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të kthehen në Kosovë.

Haxhiu, në Kuvend, tha se në kujtim të ditëve të lavdishme të nëntorit dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës, do të shfaqin një video të shkurtër kushtuar daljes së parë publike të UÇK-së.