Ferizaj ka shënuar fitore bindëse në derbin ndaj Prishtinës së Re, duke triumfuar me rezultat 3:1 në kuadër të Ligës së Parë të Kosovës

Skuadra ferizajase kaloi në epërsi në minutën e 34-të, kur Emir Skenderi realizoi për 1:0. Në pjesën e dytë, Timilehin Oluwaseu u përkujdes për ta vulosur fitoren e vendasve, duke shënuar dy herë, në minutat 71 dhe 87.

Prishtina e Re arriti të shënojë golin e nderit në minutën e 90-të përmes Rion Rushitit, por pa arritur të ndryshojë fatin e takimit. Me këtë fitore, Ferizaj ka arritur në kuotën e 33 pikëve, duke barazuar me pikë Prishtinën e Re.

Të dyja skuadrat tashmë kanë nga 33 pikë pas 17 xhirove të zhvilluara. Një fitore me rëndësi të veçantë për Ferizajn në garën për objektivat e këtij edicioni.