Rr. H., i dyshuar për vrasje të rëndë të S. D. dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Gjykata e Prizrenit i ka caktuar një muaj paraburgim.

Kallxo.com ka siguruar vendimin e Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

Sipas dosjes së Gjykatës, i dyshuari Rr. H. ka dhënë versionin se si ndodhi ngjarja.

Ai para Gjykatës ka deklaruar se viktimën nuk e kishte njohur dhe se nuk e kishte parë asnjëherë.

Ai ka thënë se ngjarja kishte nisur pas një mosmarrëveshje në një parking të një qendre tregtare. Sipas tij viktima kishte tentuar të parkohej në të njëjtin vend ku po hynte edhe ai.

I dyshuari ka deklaruar se i kishte rënë borisë dhe më pas e kishte shkuar te xhami i veturës së viktimës duke i thënë se kishte edhe hapësira të tjera për parkim.

“Edhe qaty unë u ktheva për me hi në parking, ai dojke me hi në një parking tjetër përmas, domethënë ishte mbrapa meje, dhe se kishte edhe parkingje të tjera të lira.”- ka deklaruar i dyshuari, thuhet në dosjen e Gjykatës.

Ai pretendon se i kishte rënë borisë dhe më pas i kishte shkaur në xhamin e veturës së viktimës duke i thënë se kishte edhe hapësira të tjera të lira.

Ai pretendon se në atë moment viktima kishte filluar që ta shante rëndë dhe se më pas viktima i kishte thënë të pandehurit, “të tregojë unë ty se kush jam unë”.

I dyshuari ka deklaruar se ka menduar se viktima do kishte mundur të nxjerrë ndonjë armë dhe do ta qëllonte, pasi, sipas tij e kishte parë duke kërkuar diçka nën ulësen e veturës.

“Kur ka këqyr nën karrige, thashë veç kur ta nxjerrë edhe më gjuan. Kur pash që po këqyr nën makinë, thashë vërtetë do ta nxjerrë alltinë, edhe qaty unë e kam nxjerrë alltinë edhe e kam gjuajt.”- ka deklaruar i dyshuari Rr. H.

Ai gjithashtu ka deklaruar se nuk kishte shkuar me qëllimin për ta vrarë viktimën dhe se të njëjtin nuk e njihte.

“Unë nuk kam pasë qejf, nuk kam shku as me vra njeri aty, por kam shku me të dashurën teme me pi një kafe, s`kam shku me vra njeri.”- tha Rr. H.

Në dosje të gjykatës theksohet si i dyshuari ka kërkuar falje familjes dhe gjithashtu i ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës.

Gjykata e Prizrenit i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit Rr. H., për vrasje të rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. I dyshuari vrau personin S. D., në qytetin e Suharekës para dy ditësh.

Ngjarja ka ndodhur më 18.11.2026 në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari duke përdorur armë zjarri ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës, fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas, ka hapur dyert e tij, ka vazhduar të shtie duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit.

Dhe si pasojë e plagëve të marra, viktima fillimisht ishte dërguar në QKMF-Suharekë dhe më pas është transferuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit ku dhe mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.