Një veturë është përfshirë nga zjarri mëngjesin e të mërkurës në kampusin e Universitetit të Prishtinës, afër Bibliotekës Kombëtare.

Policia ka njoftuar se informatën për rastin e ka marrë rreth orës 5:00.

“Sot rreth orës 05:00 kemi pranuar informatën për një incident zjarri në Prishtinë, ku nga zjarri është përfshirë një veturë. Sipas informatave fillestare, nuk raportohet për persona të lënduar”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

Policia nuk ka dhënë detaje për shkaqet e zjarrit e as se kujt i përket vetura e djegur.

Sipas Indeksonline, vetura që u gjet e djegur në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, i përket profesoreshës universitare, Njomza Llullaku.

Teksa policia ka nisur hetimet mbi zjarrin, Llullaku raportohet të jetë jashtë Kosovës.

Ajo kishte parkuar veturën në lokacionin e apostrofuar ditën e 17 nëntorit, për t’u nisur më pas në një udhëtim zyrtar jashtë vendit.