Një baba është bërë sensacion në rrjetet sociale pas një reagimi të jashtëzakonshëm gjatë një ndeshjeje bejsbolli në New York, ku arriti të ndalte me njërën dorë një shkop që fluturoi drejt tribunave, duke mbrojtur dy djemtë e tij.

Ngjarja ndodhi në stadiumin Citi Field, gjatë një ndeshjeje të skuadrës New York Mets. Në një moment, një shkop bejsbolli fluturoi nga fusha në drejtim të spektatorëve, duke shkaktuar reagime të menjëhershme në tribuna.

Babai, i cili ishte ulur pranë dy djemve të tij, reagoi me shpejtësi dhe arriti ta kapte shkopin me dorën e djathtë. Ajo që e bëri momentin edhe më të pazakontë ishte fakti se në dorën tjetër mbante një gotë birrë dhe nuk u ngrit fare nga vendi.

Pamjet e këtij momenti u shpërndanë me shpejtësi në internet, ku përdoruesit e rrjeteve sociale e vlerësuan reagimin e tij dhe e pagëzuan me epitetin “babai i vitit”.

Shumë prej tyre komentuan se ai arriti të kryente një pritje të jashtëzakonshme në një situatë ku rrezikoheshin fëmijët e tij.