Një helikopter i misionit paqeruajtës të Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë, EUFOR, është rrëzuar në një fshat pranë Bërçkos të enjten, duke lënë të vdekur tre anëtarë të ekuipazhit dhe duke lënduar 12 të tjerë, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) kryetari i Bërçkos, Sinisha Miliq.

“Kemi edhe 12 persona të lënduar, disa prej të cilëve janë në gjendje më të rëndë. Po punojmë për ofrimin e ndihmës për të lënduarit në Qendrën Shëndetësore të Distriktit të Bërçkos dhe jemi të gatshëm t’i transferojmë, nëse është e nevojshme, në qendra më të mëdha klinike”, tha Miliq.

Sipas tij, të gjithë personat që kanë vdekur dhe janë lënduar janë pjesëtarë të EUFOR-it, ndërsa helikopteri i rrëzuar i përkiste kontingjentit italian të këtij misioni.

EUFOR-i konfirmoi në një komunikatë se në aksident kanë humbur jetën “disa” pjesëtarë të misionit. Sipas njoftimit, disa prej tyre “kanë humbur tragjikisht jetën, ndërsa të tjerë janë lënduar rëndë”.

EUFOR-i bëri të ditur se helikopteri i rrëzuar është i llojit CH-47 Chinook dhe i përket kontingjentit italian të misionit.

Lidhur me aksidentin reagoi edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e cila shprehu ngushëllime për familjet e viktimave përmes një postimi në rrjetin social X.

“Lajmi për aksidentin tragjik të helikopterit italian të EUFOR-it në Bosnje e Hercegovinë është shkak për pikëllim të thellë. Në mendjen dhe zemrat tona janë viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që, të angazhuar në misionin për paqe dhe stabilitet në rajon, po kalojnë orë ankthi”, shkroi Meloni.

EUFOR-i kishte njoftuar më herët se më 29 tetor, gjatë një operacioni rutinë në zonën e Brçkos, kishte ndodhur një aksident që rezultoi me rrëzimin e njërit prej mjeteve të tij ajrore.

Misioni bëri të ditur gjithashtu se nuk është dëmtuar infrastruktura civile, prona apo automjete dhe se nuk ka pasur civilë të lënduar. EUFOR-i njoftoi se po zhvillon “një hetim të plotë dhe të hollësishëm për incidentin”.

Ekipet e policisë së Qarkut të Bërçkos, zjarrfikësit dhe shërbimet e urgjencës mbërritën shpejt në vendin e aksidentit, ndërsa zona përreth vendit ku u rrëzua helikopteri është siguruar.

Ministri i Mbrojtjes i Bosnje e Hercegovinës, Zukan Helez, tha për Radion Evropa e Lirë se ishte njoftuar që në aksident nuk ishin përfshirë pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Bosnje e Hercegovinës.

EUFOR-i, Forca e Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë, është një mision ushtarak ndërkombëtar që vepron në këtë shtet që nga viti 2004, në kuadër të operacionit Althea, me synimin për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në vend.